Drejtoresha e Zhvillimit për Europën në Federatën Ndërkombëtare të Tenisit (ITF), Olha Lazarchuk, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke shënuar vizitën e saj të parë në vendin tonë.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, znj. Lazarchuk vizitoi Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë, ku u njoh nga afër me infrastrukturën dhe aktivitetet që zhvillohen në këtë qendër. Në kuadër të vizitës së saj, ajo udhëtoi gjithashtu drejt Korçës, ku vizitoi qendrën sportive të Korça Tennis Club, duke parë nga afër zhvillimin e tenisit edhe në këtë qytet.
Në Tiranë, znj. Lazarchuk zhvilloi edhe një takim me Presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ku u diskutua mbi mbështetjen dhe bashkëpunimin për zhvillimin e mëtejshëm të sportit të tenisit në Shqipëri.
Ajo pati mundësinë të takohej dhe të njihej nga afër me disa nga trajnerët dhe lojtarët më të mirë të tenisit në Shqipëri, duke vlerësuar punën që po bëhet për zhvillimin e sportit në vend.
Përgjatë vizitës në Shqipëri, znj. Lazarchuk u shoqërua nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Tenisit, Ferdinand Sulo, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Klaus Bardeli.
Në fjalën e saj, ajo theksoi se bashkëpunimi mes Federatës Shqiptare të Tenisit dhe Federatës Ndërkombëtare të Tenisit do të vijojë të jetë i vazhdueshëm dhe frytdhënës, me synimin për të mbështetur projektet zhvillimore dhe për të kontribuar në rritjen e nivelit të tenisit në Shqipëri.







