Federata Shqiptare e Tenisit

Olha Lazarchuk nga ITF zhvillon vizitë zyrtare në Shqipëri

Drejtoresha e Zhvillimit për Europën në Federatën Ndërkombëtare të Tenisit (ITF), Olha Lazarchuk, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke shënuar vizitën e saj të parë në vendin tonë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, znj. Lazarchuk vizitoi Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë, ku u njoh nga afër me infrastrukturën dhe aktivitetet që zhvillohen në këtë qendër. Në kuadër të vizitës së saj, ajo udhëtoi gjithashtu drejt Korçës, ku vizitoi qendrën sportive të Korça Tennis Club, duke parë nga afër zhvillimin e tenisit edhe në këtë qytet. Në Tiranë, znj. Lazarchuk zhvilloi edhe një takim me Presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ku u diskutua mbi mbështetjen dhe bashkëpunimin për zhvillimin e mëtejshëm të sportit të tenisit në Shqipëri. Ajo pati mundësinë të takohej dhe të njihej nga afër me disa nga trajnerët dhe lojtarët më të mirë të tenisit në Shqipëri, duke vlerësuar punën që po bëhet për zhvillimin e sportit në vend. Përgjatë vizitës në Shqipëri, znj. Lazarchuk u shoqërua nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Tenisit, Ferdinand Sulo, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Klaus Bardeli. Në fjalën e saj, ajo theksoi se bashkëpunimi mes Federatës Shqiptare të Tenisit dhe Federatës Ndërkombëtare të Tenisit do të vijojë të jetë i vazhdueshëm dhe frytdhënës, me synimin për të mbështetur projektet zhvillimore dhe për të kontribuar në rritjen e nivelit të tenisit në Shqipëri.

Vitor Cabral në Shqipëri. Zhvillohet “ITF Parents Workshop Level 1”

Fillimi i këtij muaji shënoi vizitën e përfaqësuesit të Federatës Botërore të Tenisit, Vitor Cabral (ITF Development Officer Europe). Vitor Cabral organizoi kursin për të gjithë prindërit që kanë fëmijë të angazhuar në sportin e tenisit në Shqipëri “ITF Parents Workshop Level 1” në “National Sport Park” në Tiranë. Bashkë me njohuritë e prezantuara dhe diskutimet në këtë kurs prindërit u njohën me platformën online të Federatës Ndërkombëtare të Tenisit (ITF Academy), ku mund të gjejnë informacione dhe kurse të vlefshme përgjatë gjithë vitit. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Vitor Cabral krijoi mundësinë e takimit me përfaqësues të klubeve të ndryshme dhe tenistëve në vend. Konkretisht ai ishte i pranishëm në klubet respektive të qyteteve si Tirana, Korça, Vlora dhe Shkodra, duke parë nga afër zhvillimet e arrituara, lojtarët më të talentuar, por edhe duke diskutuar problematikat që has çdo klub dhe federata si dhe projektet për të ardhmen. Për Cabral ishte hera e parë për të në disa prej këtyre qyteteve, ku në qytetin e Korçës realizoi një takim me kryebashkiakun Sotiraq Filo ku u bisedua për qëllimet e kësaj bashkie në të mirë të zhvillimit të mëtejshëm të tenisit në Korçë. Gjatë kthimit nga Korça, Vitor Cabral gjati kohën të ndalojë në Pogradec në një takim me zv.Kryetaren e Bashkisë Entela Gusho dhe përfaqësues të tjerë të kësaj bashkie. Ndër të tjera në këtë takim u diskutua rreth infrastrukturës së tenisit në qytet si element kyç për zhvillimin e këtij sporti. Vitor Cabral largohet me përshtypjet më të mira nga Shqipëria dhe me synime të reja bashkëpunimi mes Federatës Ndërkombëtare të Tenisit dhe federatës sonë.