Fitore e rëndësishme për Shqipërinë në Billie Jean King Cup!
Ekipi Kombëtar Shqiptar i femrave ka arritur një fitore të rëndësishme në “Billie Jean King Cup by Gainbridge – Europe Group III”, duke mposhtur Azerbajxhanin me rezultatin 2-1 në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve.
Shqipëria kaloi në avantazh falë një paraqitjeje shumë të mirë të Kristal Dules, e cila fitoi ndeshjen e parë në teke ndaj Lala Eyvazova, me rezultatin 6-4, 6-1.
Në ndeshjen e dytë, Gresi Bajri zhvilloi një duel tejet të fortë ndaj Michelle Dzjachangirova, por u mposht me rezultatin 6-2, 3-6, 1-6, duke barazuar takimin në 1-1.
Gjithçka u vendos në ndeshjen e dysheve, ku Gresi Bajri dhe Kristal Dule treguan karakter, qetësi dhe nivel të lartë loje. Pas humbjes së setit të parë, tenistet shqiptare përmbysën rezultatin dhe fituan me 1-6, 6-4, 10-2, duke i dhënë Shqipërisë fitoren e merituar 2-1.
Federata Shqiptare e Tenisit përgëzon vajzat shqiptare dhe kapitenin Tedi Kaso për këtë sukses dhe për përfaqësimin dinjitoz të ngjyrave kuqezi në arenën ndërkombëtare.










