Skip to main content

Federata Shqiptare e Tenisit

Shqipëria fitore e bindshme ndaj Andorrës 2-0 në kampionatin botëror në BILLIE JEAN KING CUP!

Një tjetër sukses për ekipin kombëtar shqiptar të femrave! Shqipëria ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Andorrës në Billie Jean King Cup by Gainbridge – Europe Group III, duke dhuruar një paraqitje mbresëlënëse dhe plot karakter. Kristal Dule hapi rrugën e fitores me një performancë shumë të sigurt, duke mposhtur Judit Cartana Alana me rezultatin 6-3, 6-3 dhe duke i dhënë Shqipërisë pikën e parë. Më pas ishte radha e Gresi Bajrit, e cila dominoi plotësisht ndeshjen e saj ndaj Laura Pichel, duke fituar me rezultatin spektakolar 6-0, 6-0 dhe duke vulosur fitoren e Shqipërisë pa lënë asnjë dyshim. Me rezultatin e përgjithshëm 2-0, vajzat kuqezi siguruan një fitore të pastër, duke treguar nivel të lartë loje, vendosmëri dhe shpirt gare. Federata Shqiptare e Tenisit përgëzon Kristal Dulen, Gresi Bajrin, Enki Hysenin dhe kapitenin Tedi Kaso për këtë arritje të shkëlqyer dhe për përfaqësimin me dinjitet të flamurit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Forca Shqipëria!

Shqipëria mposht Azerbajxhanin me rezultatin 2-1

Fitore e rëndësishme për Shqipërinë në Billie Jean King Cup! Ekipi Kombëtar Shqiptar i femrave ka arritur një fitore të rëndësishme në “Billie Jean King Cup by Gainbridge – Europe Group III”, duke mposhtur Azerbajxhanin me rezultatin 2-1 në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve. Shqipëria kaloi në avantazh falë një paraqitjeje shumë të mirë të Kristal Dules, e cila fitoi ndeshjen e parë në teke ndaj Lala Eyvazova, me rezultatin 6-4, 6-1. Në ndeshjen e dytë, Gresi Bajri zhvilloi një duel tejet të fortë ndaj Michelle Dzjachangirova, por u mposht me rezultatin 6-2, 3-6, 1-6, duke barazuar takimin në 1-1. Gjithçka u vendos në ndeshjen e dysheve, ku Gresi Bajri dhe Kristal Dule treguan karakter, qetësi dhe nivel të lartë loje. Pas humbjes së setit të parë, tenistet shqiptare përmbysën rezultatin dhe fituan me 1-6, 6-4, 10-2, duke i dhënë Shqipërisë fitoren e merituar 2-1. Federata Shqiptare e Tenisit përgëzon vajzat shqiptare dhe kapitenin Tedi Kaso për këtë sukses dhe për përfaqësimin dinjitoz të ngjyrave kuqezi në arenën ndërkombëtare. Urime ekipit tonë!

Shqipëria gati për Billie Jean King Cup Europe Group III 2026!

 Federata Shqiptare e Tenisit ka kënaqësinë të prezantojë ekipin kombëtar të femrave, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Billie Jean King Cup by Gainbridge – Europe Group III, që po zhvillohet në San Marino, nga 15 deri më 20 qershor 2026. Ekipi i Shqipërisë: Gresi Bajri Kristal Dule Enki Hyseni Kapiten: Tedi Kaso Pas hedhjes së shortit, Shqipëria është shortuar në Grupin D, ku do të përballet me: Armeninë Malin e Zi Azerbajxhanin Programi i ndeshjeve të Shqipërisë: • 17 Qershor – Shqipëri Mali i Zi • 18 Qershor – Shqipëri Armenia • 19 Qershor – Shqipëri Azerbajxhani Ky është kompeticioni më prestigjioz ekipor i tenisit për femra në nivel kombëtaresh, ku vajzat tona do të kenë mundësinë të përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe të garojnë për promovimin në Europe Group II. I urojmë ekipit tonë shumë suksese dhe paraqitje dinjitoze në San Marino!

Ekipi kombëtar i vajzave mbërrin në Kishinau për Billie Jean King Cup 2025!

Ekipi kombëtar i vajzave të kategorisë së të rriturave ka mbërritur dje në Kishinau, Moldavi, ku ka nisur përgatitjet për ndeshjet e Kampionatit Botëror Ekipor të Femrave “Billie Jean King Cup by Gainbridge – Europe Group III”, i cili zhvillohet nga 16 deri më 21 Qershor 2025. Shqipëria ka rënë në short në Grupin B, së bashku me Moldavinë, Irlandën dhe Azerbajxhanin, në një grup të fortë me përfaqësuese të përgatitura dhe me përvojë. Përbërja e ekipit shqiptar: Gresi Bajri Kristal Dule Anatereza Guli Enki Hyseni Nën drejtimin e kapitenit Tedi Kaso Ndeshjet e raundit të parë do të zhvillohen me sistemin “round robin” dhe më pas do të vijojnë fazat e dyta me duele për vendosjen e renditjes dhe ngjitjen në grupin e dytë. U urojmë vajzave tona përfaqësuese stërvitje të mbarë dhe suksese në fushë!  Forca Shqipëria!

Masters U14 & U18

Turneu i fundit i këtij viti “Masters U14 & U18” i organizuar nga Federata Shqiptare e Tenisit dhe Tennis Eralb Club në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” gjatë kësaj fundjave ka shpallur fituesit. Konkretisht fitues i kategorisë U18 Djem u shpall Kledi Gaba dhe finalist Denis Gaba. Në kategorinë U14 Djem fitues rezultoi Alex Prifti dhe finalist Arbër Dano. Ndërsa në kategorinë U14 Vajza fituese u shpall Enki Hyseni dhe finaliste Anjel Hoxha. Urime për fituesit dhe suksese të gjithë pjesëmarrësve!

NSP Open 2024 TEJT 14&U, Arbër Dano dhe Enki Hyseni fitojnë përballjet e para

Arbër Dano dhe Enki Hyseni fitojnë përballjet e para në turneun ndërkombëtar Tennis Europe Junior Tour Arbër Dano dhe Enki Hyseni fitojnë përballjet e para në turneun ndërkombëtar Tennis Europe Junior Tour “NSP Open 2024” 14&U, Category 3 që po zhvillohet në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë. Arbër DANO fitoi me rezultatin 6-1, 7-5 ndaj tenistit turk Doruk UNSAL, ndërsa përballjen e rradhës e ka me tenistin nga Rumania, Rares Alexandru MIRON. Enki HYSENI fitoi me rezultatin 6-4, 7-5 ndaj tenistes Anna BATUEVA nga Turqia dhe përballjen e rradhës e ka me tenisten ukrainase Alexandra SHREIDER. I urojmë shumë suksese në vijim tenistëve tanë!

Tirana Open – Tennis Europe Junior Tour-Category 3- U14, Enki Hyseni në Çerekfinale Girls Doubles

Enki Hyseni arrin në Çerekfinale Girls Doubles të turneut ndërkombëtar “Tirana Open – Tennis Europe Junior Tour-Category 3- U14” që po mbahet në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë. Enki HYSENI dhe partnerja e saj në dyshe Emma NOUVIAN-HOUSSE nga Franca mundën me rezultatin 6-3, 0-6, 10-6 dyshen e tenisteve Nastya MOROZOVA nga Ukraina dhe Sofiya ZAKHARKIV nga Bullgaria, duke kaluar kështu në çerekfinale në të cilën do të përballen me tenistet Serra HASANBASOGLU nga Turqia dhe Vasilisa ZARECINAIA nga Moldavia. Në këtë turne marrin pjesë rreth 100 tenistë nga vende të ndryshme të botës si Belgjikë, Itali, Francë, Greqi etj. dhe tenistë shqiptarë. Ndër tenistët shqiptarë përmendim: Arbër Dano, Ares Ferhati, Anjel Hoxha, Enki Hyseni, Ditan Mulliqi, Alex Prifti dhe Kristi Thano. I urojmë suksese të gjithë tenistëve pjesëmarrës!

NSP Tour 2023, Denis Gaba dhe Enki Hyseni shpallen fitues

Denis Gaba dhe Enki Hyseni shpallen fitues të turneut “NSP Tour 2023” për kategorinë U14 dhe në kategorinë ROG fituese rezultuan Mirabella Lamina, Leart Musai,Hajdi Hysaj, Jonis Gaba, Nergis Nikprelaj. Ky turne u zhvillua këtë fundjavë në Tiranë, në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park”. Në kategorinë U14 Djem, Denis Gaba fitoi në finale me rezultatin 6-2,6-0 kundrejt finalistit Alex Prifti. Në kategorinë U14 Vajza, Enki Hyseni fitoi në finale me rezultatin 6-2,6-0 kundrejt finalistes Anjel Hoxha. Ndërsa në ROG, në kategorinë Red fituese me rezultatin 4-2, 4-0 u shpall Mirabella Lamina dhe finaliste Alesia Musai. Në kategorinë Orange Djem fitues me rezultatin 6-3 u shpall Leart Musai dhe finalist Blini Papa. Në kategorinë Orange Vajza fituese me rezultatin 6-4 u shpall Hajdi Hysaj dhe finaliste Reina Gashi. Në kategorinë Green Vajza fituese u shpall Nergis Nikprelaj me rezultatin 4-1, 4-1 dhe finaliste Deborah Treska. Në kategorinë Green Djem fitues u shpall Jonis Gaba me rezultatin 4-2, 4-1 dhe finalist Floid Kaso. Shumë suksese në vazhdim të gjithë tenistëve pjesëmarrës dhe fituesve!

‘ITF/Tennis Europe Development Championships & 12&U Training Camp 2023’ Java e dytë

Disa fitore nga tenistët shqiptarë në kampionatin e javës së dytë të ‘ITF/Tennis Europe Development Championships & 12&U Training Camp 2023’ që po zhvillohet në Antalia të Turqisë. Gjatë këtyre ditëve Enki Hyseni mundi Emma Hovhannisyan nga Armenia me rezultatin 6-1, 6-1; Denis Gaba mundi po ashtu tenistin nga Armenia, Albert Aznavuryan me rezultatin 6-1, 6-0. Ditën e djeshme Denis Gaba fitoi ndaj Nikolozi Sirbiladze nga Gjeorgjia me rezultatin 5-7, 6-3, 6-4. Gjithashtu Denis Gaba së bashku me Alex Prifti në kategorinë Doubles Djem fituan përballjen me Ervin Doli dhe Unik Ramadani nga Kosova me rezultatin 4-1, 4-2. Ekipi shqiptar i tenisit është nën drejtimin e trajnerëve Elda Vukatana dhe Tedi Kaso.