Skip to main content

Federata Shqiptare e Tenisit

Shqipëria fitore e bindshme ndaj Andorrës 2-0 në kampionatin botëror në BILLIE JEAN KING CUP!

Një tjetër sukses për ekipin kombëtar shqiptar të femrave! Shqipëria ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Andorrës në Billie Jean King Cup by Gainbridge – Europe Group III, duke dhuruar një paraqitje mbresëlënëse dhe plot karakter. Kristal Dule hapi rrugën e fitores me një performancë shumë të sigurt, duke mposhtur Judit Cartana Alana me rezultatin 6-3, 6-3 dhe duke i dhënë Shqipërisë pikën e parë. Më pas ishte radha e Gresi Bajrit, e cila dominoi plotësisht ndeshjen e saj ndaj Laura Pichel, duke fituar me rezultatin spektakolar 6-0, 6-0 dhe duke vulosur fitoren e Shqipërisë pa lënë asnjë dyshim. Me rezultatin e përgjithshëm 2-0, vajzat kuqezi siguruan një fitore të pastër, duke treguar nivel të lartë loje, vendosmëri dhe shpirt gare. Federata Shqiptare e Tenisit përgëzon Kristal Dulen, Gresi Bajrin, Enki Hysenin dhe kapitenin Tedi Kaso për këtë arritje të shkëlqyer dhe për përfaqësimin me dinjitet të flamurit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Forca Shqipëria!

Shqipëria mposht Azerbajxhanin me rezultatin 2-1

Fitore e rëndësishme për Shqipërinë në Billie Jean King Cup! Ekipi Kombëtar Shqiptar i femrave ka arritur një fitore të rëndësishme në “Billie Jean King Cup by Gainbridge – Europe Group III”, duke mposhtur Azerbajxhanin me rezultatin 2-1 në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve. Shqipëria kaloi në avantazh falë një paraqitjeje shumë të mirë të Kristal Dules, e cila fitoi ndeshjen e parë në teke ndaj Lala Eyvazova, me rezultatin 6-4, 6-1. Në ndeshjen e dytë, Gresi Bajri zhvilloi një duel tejet të fortë ndaj Michelle Dzjachangirova, por u mposht me rezultatin 6-2, 3-6, 1-6, duke barazuar takimin në 1-1. Gjithçka u vendos në ndeshjen e dysheve, ku Gresi Bajri dhe Kristal Dule treguan karakter, qetësi dhe nivel të lartë loje. Pas humbjes së setit të parë, tenistet shqiptare përmbysën rezultatin dhe fituan me 1-6, 6-4, 10-2, duke i dhënë Shqipërisë fitoren e merituar 2-1. Federata Shqiptare e Tenisit përgëzon vajzat shqiptare dhe kapitenin Tedi Kaso për këtë sukses dhe për përfaqësimin dinjitoz të ngjyrave kuqezi në arenën ndërkombëtare. Urime ekipit tonë!

Shqipëria gati për Billie Jean King Cup Europe Group III 2026!

 Federata Shqiptare e Tenisit ka kënaqësinë të prezantojë ekipin kombëtar të femrave, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Billie Jean King Cup by Gainbridge – Europe Group III, që po zhvillohet në San Marino, nga 15 deri më 20 qershor 2026. Ekipi i Shqipërisë: Gresi Bajri Kristal Dule Enki Hyseni Kapiten: Tedi Kaso Pas hedhjes së shortit, Shqipëria është shortuar në Grupin D, ku do të përballet me: Armeninë Malin e Zi Azerbajxhanin Programi i ndeshjeve të Shqipërisë: • 17 Qershor – Shqipëri Mali i Zi • 18 Qershor – Shqipëri Armenia • 19 Qershor – Shqipëri Azerbajxhani Ky është kompeticioni më prestigjioz ekipor i tenisit për femra në nivel kombëtaresh, ku vajzat tona do të kenë mundësinë të përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe të garojnë për promovimin në Europe Group II. I urojmë ekipit tonë shumë suksese dhe paraqitje dinjitoze në San Marino!

Ekipi kombëtar i vajzave mbërrin në Kishinau për Billie Jean King Cup 2025!

Ekipi kombëtar i vajzave të kategorisë së të rriturave ka mbërritur dje në Kishinau, Moldavi, ku ka nisur përgatitjet për ndeshjet e Kampionatit Botëror Ekipor të Femrave “Billie Jean King Cup by Gainbridge – Europe Group III”, i cili zhvillohet nga 16 deri më 21 Qershor 2025. Shqipëria ka rënë në short në Grupin B, së bashku me Moldavinë, Irlandën dhe Azerbajxhanin, në një grup të fortë me përfaqësuese të përgatitura dhe me përvojë. Përbërja e ekipit shqiptar: Gresi Bajri Kristal Dule Anatereza Guli Enki Hyseni Nën drejtimin e kapitenit Tedi Kaso Ndeshjet e raundit të parë do të zhvillohen me sistemin “round robin” dhe më pas do të vijojnë fazat e dyta me duele për vendosjen e renditjes dhe ngjitjen në grupin e dytë. U urojmë vajzave tona përfaqësuese stërvitje të mbarë dhe suksese në fushë!  Forca Shqipëria!

Billie Jean King Cup, Ekipi shqiptar i vajzave mbërrin në Moldavi

Ekipi kombëtar i vajzave shqiptare të kategorisë së të rriturave ka mbërritur që ditën e djeshme në Kishinau të Moldavisë ku po të stërvitet për ndeshjet e Kampionatit Botëror Ekipor të Femrave “Billie Jean King Cup by Gainbridge Europe Group III” që fillojnë sot ku Shqipëia do të përballet me Armeninë. Ekipi shqiptar i vajzave që përfaqësojnë Shqipërinë në “Billie Jean King Cup by Gainbridge Europe Group III” përbëhet nga: Kristal Dule, Rea Qinami dhe Anatereza Guli nën drejtimin e kapitenit Tedi Kaso.I urojmë shumë suksese ekipit tonë!

“Billie Jean King Cup 2023 Group III” Shqipëria rrëmben 3 fitore

Shqipëria fiton me rezultatin 2-0 ndaj Malit të Zi në përballjet e Promotional Play-Off duke mbyllur kështu rrugëtimin e saj në kampionatin botëror “Billie Jean King Cup 2023 Group III” me 3 fitore (me Islandën, Azerbajxhanin dhe Malin e Zi) dhe 3 humbje nga 6 ndeshje të luajtura. Kjo bëri që ekipi jonë kombëtar i vajzave të renditet në vendin e 7-të të grupit 3 të këtij kampionati. Edhe pse pati humbje me ekipe si Maqedonia e Veriut, Moldavia dhe Finlanda, duke parë ndeshjet e tenisteve të kombëtares sonë me disa prej tenisteve më të mira në botë, si tenistja maqedonase Lina Gjorcheska me renditje aktuale botërore 256 dhe renditje maksimale 170, tenistja finlandeze Anasatasia Kulikova me renditje aktuale botërore 352 dhe maksimale 179 apo Laura Hietaranta me renditje botërore 612, themi të sigurt që përfaqësimi i Shqipërisë ishte dinjitoz. Duhet përmendur fakti që vajzat e ekipit kombëtar kanë një moshë relatisht të re krahasimisht me shumë kundërshtare të tyre në këtë kampionat botëror, konkretisht 17 vjeç (Gresi Bajri), 21(Kristal Dule) dhe 17 (Rea Qinami). Gjithashtu ky ishte vetëm viti i 3-të i pjesëmarrjes së Shqipërisë në kampionatin botëror të femrave. Prandaj me vijimin e stërvitjes efikase dhe grumbullimeve si këtë vit në Mal të Zi, paraqitja e Shqipërisë në kampionatin botëror “Billie Jean King Cup” konsiderohet të jetë edhe më e suksesshme dhe shpresëdhënëse në vitet e ardhshme. I urojmë shumë fat dhe suksese në vazhdim tenisteve tona Gresi Bajri, Kristal Dule, Rea Qinami si dhe kapitenit drejtues Tedi Kaso. Gjithashtu i falenderojmë që dhanë më të mirën e tyre në këtë kompeticion të rëndësishëm dhe tejet sfidues.

Billie Jean King Cup 2023 Group III / Ekipi shqiptar i vajzave mund ekipin e Islandës

Ekipi shqiptar i vajzave mundi sot ekipin e Islandës me rezultatin 3-0 në përballjen e rradhës në kampionatin botëror ekipor për femra që po zhvillohet në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Kristal Dule arriti të fitojë ndeshjen e parë Singles me rezultatin 6-3, 6-0 ndaj Anna Soffia Gronholm, pasuar kjo me fitore nga Gresi Bajri në ndeshjen e dytë me rezultatin 6-1, 6-1 ndaj Sofia Soley Jonasdottir. Së fundi, në ndeshjen e tretë ndaj Islandës, në Doubles, dyshja shqiptare Gresi Bajri dhe Rea Qinami mundën dyshen Anna Soffia Gronholm dhe Sofia Soley Jonasdottir me rezultatin 6-2, 5-7, 6-4. Ndërkohë ekipi kombëtar ka korrur 1 fitore ndaj Islandës dhe 1 humbje ndaj Maqedonisë së Veriut, përballjet vijojnë nesër ku ekipi jonë do të ndeshet me ekipin e Moldavisë. I urojmë shumë suksese tenisteve tona të cilat po japin më të mirën në fushë!

“Billie Jean King Cup by Gainbridge Europe Group III”, ekipi kombëtar në Shkup

Ekipi kombëtar i vajzave shqiptare të kategorisë së të rriturave ka mbërritur që ditën e djeshme në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku po të stërvitet për ndeshjet e Kampionatit Botëror Ekipor të Femrave “Billie Jean King Cup by Gainbridge Europe Group III” që fillojnë nesër. Ekipi shqiptar i vajzave që përfaqësojnë Shqipërinë në “Billie Jean King Cup by Gainbridge Europe Group III” përbëhet nga: Gresi Bajri, Kristal Dule dhe Rea Qinami nën drejtimin e kapitenit Tedi Kaso. I urojmë shumë suksese ekipit tonë!

Përgatitja BJKC 2023 – Ekipi kombëtar i vajzave grumbullohet në Ulqin të Malit të Zi

Ekipi kombëtar i vajzave shqiptare të kategorisë së të rriturave është grumbulluar në Ulqin të Malit të Zi, në Klubin e Tenisit “Bellevue” ku do të stërvitet për 2 javë rresht si parapërgatitje për pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror Ekipor të Femrave “Billie Jean King Cup by Gainbridge Europe Group III” që do të zhvillohet në 18 Qershor në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Stërvitja gjatë këtyre 2 javëve do të jetë intensive dhe sipas një programi të avancuar nën drejtimin e kapitenit të ekipit Tedi Kaso. Terreni i fushave të tenisit në Ulqin i përshtatet edhe terrenit të fushave ku do të zhvillohet kampionati botëror ekipor i femrave. Ekipi kombëtar i vajzave që përfaqësojnë Shqipërinë në “Billie Jean King Cup by Gainbridge Europe Group III” përbëhet nga: Gresi Bajri, Kristal Dule dhe Rea Qinami. Grumbullimi i ekipit tonë të vajzave për t’u stërvitur përkon me qëllimin për t’u prezantuar me një performancë sa më mirë në “Billie Jean King Cup”. I urojmë stërvitje të mbarë ekipit dhe suksese në vazhdim!

NCCA – Kristal Dule bëhet tenistja e parë femër përfaqësuese e “NC Wesleyan Women’s Sports”

Tenistja e talentuar shqiptare Kristal Dule bëhet tenistja e parë femër e përzgjedhur ndonjëherë si përfaqësuese e “NC Wesleyan Women’s Sports” për të konkurruar në Kampionatin Kombëtar Individual të NCAA në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I urojmë shumë fat tenistes sonë dhe na bën vërtetë krenar me arritjet e saj edhe përtej oqeanit. Suksese Kristal!