Federata Shqiptare e Tenisit

info@albaniantennis.com

“Billie Jean King Cup 2023 Group III” Shqipëria rrëmben 3 fitore

Shqipëria fiton me rezultatin 2-0 ndaj Malit të Zi në përballjet e Promotional Play-Off duke mbyllur kështu rrugëtimin e saj në kampionatin botëror “Billie Jean King Cup 2023 Group III” me 3 fitore (me Islandën, Azerbajxhanin dhe Malin e Zi) dhe 3 humbje nga 6 ndeshje të luajtura.
Kjo bëri që ekipi jonë kombëtar i vajzave të renditet në vendin e 7-të të grupit 3 të këtij kampionati.
Edhe pse pati humbje me ekipe si Maqedonia e Veriut, Moldavia dhe Finlanda, duke parë ndeshjet e tenisteve të kombëtares sonë me disa prej tenisteve më të mira në botë, si tenistja maqedonase Lina Gjorcheska me renditje aktuale botërore 256 dhe renditje maksimale 170, tenistja finlandeze Anasatasia Kulikova me renditje aktuale botërore 352 dhe maksimale 179 apo Laura Hietaranta me renditje botërore 612, themi të sigurt që përfaqësimi i Shqipërisë ishte dinjitoz.
Duhet përmendur fakti që vajzat e ekipit kombëtar kanë një moshë relatisht të re krahasimisht me shumë kundërshtare të tyre në këtë kampionat botëror, konkretisht 17 vjeç (Gresi Bajri), 21(Kristal Dule) dhe 17 (Rea Qinami).
Gjithashtu ky ishte vetëm viti i 3-të i pjesëmarrjes së Shqipërisë në kampionatin botëror të femrave.
Prandaj me vijimin e stërvitjes efikase dhe grumbullimeve si këtë vit në Mal të Zi, paraqitja e Shqipërisë në kampionatin botëror “Billie Jean King Cup” konsiderohet të jetë edhe më e suksesshme dhe shpresëdhënëse në vitet e ardhshme.
I urojmë shumë fat dhe suksese në vazhdim tenisteve tona Gresi Bajri, Kristal Dule, Rea Qinami si dhe kapitenit drejtues Tedi Kaso. Gjithashtu i falenderojmë që dhanë më të mirën e tyre në këtë kompeticion të rëndësishëm dhe tejet sfidues.