Federata Shqiptare e Tenisit

Tenisti i ri shqiptar Arbër Dano është përzgjedhur të jetë pjesë e programit ndërkombëtar Little Tennis Champions 2025-26, një nismë e organizuar nga I Tennis Foundation në bashkëpunim me Federatat Kombëtare të Shqipërisë, Italisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Programi nisi më 13 korrik në qytetin e Torinos (Itali), ku tenistët zhvilluan një javë trajnimi intensiv në ambientet e Circolo della Stampa Sporting, nën drejtimin e disa prej trajnerëve më të njohur të tenisit europian si Simone Tartarini (trajner i Lorenzo Musettit) dhe Gipo Arbino (trajner i Lorenzo Sonegos).
Pas fazës përgatitore, Arbër Dano udhëtoi së bashku me pjesën tjetër të grupit në Annecy të Francës, ku mori pjesë në një turne ndërkombëtar Tennis Europe U14, i zhvilluar nga 19 deri më 26 korrik 2025. Në këtë turne, Arbri kaloi turin e parë, ndërsa u mund në raundin e dytë me rezultat 6-2, 6-2 pas përballjes me një lojtar nga Japonia.
Aktualisht, Arbri dhe ekipi ndodhen në Agno, Zvicër, ku po marrin pjesë në një tjetër turne Tennis Europe të kategorisë U16, i përfshirë në kalendarin zyrtar të programit të bursave.
Pjesëmarrja në këtë projekt është një mundësi e vlefshme për zhvillimin profesional të Arbër Danos dhe përfitimin e përvojës ndërkombëtare në një mjedis elitar sportiv.

Ndaje me miq