Një tjetër sukses për ekipin kombëtar shqiptar të femrave! Shqipëria ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Andorrës në Billie Jean King Cup by Gainbridge – Europe Group III, duke dhuruar një paraqitje mbresëlënëse dhe plot karakter.
Kristal Dule hapi rrugën e fitores me një performancë shumë të sigurt, duke mposhtur Judit Cartana Alana me rezultatin 6-3, 6-3 dhe duke i dhënë Shqipërisë pikën e parë.
Më pas ishte radha e Gresi Bajrit, e cila dominoi plotësisht ndeshjen e saj ndaj Laura Pichel, duke fituar me rezultatin spektakolar 6-0, 6-0 dhe duke vulosur fitoren e Shqipërisë pa lënë asnjë dyshim.
Me rezultatin e përgjithshëm 2-0, vajzat kuqezi siguruan një fitore të pastër, duke treguar nivel të lartë loje, vendosmëri dhe shpirt gare.
Federata Shqiptare e Tenisit përgëzon Kristal Dulen, Gresi Bajrin, Enki Hysenin dhe kapitenin Tedi Kaso për këtë arritje të shkëlqyer dhe për përfaqësimin me dinjitet të flamurit shqiptar në arenën ndërkombëtare.



