Turneu botëror “J5 Tirana Open – ITF World Tour 2022”

Përfundon turneu botëror “J5 Tirana Open – ITF World Tour 2022” i zhvilluar në Qendrën Kombëtare të Tenisit në Tiranë. Sot u zhvilluan finalet ku fituese për kategorinë Vajza Singles u shpall Maria de la Paz Alberto nga Spanja kundrejt tenistes nga Belgjika, Katarina Kujovic me rezultatin 3-6, 6-3, 2-6. Fitues për kategorinë Djem Singles u shpall Filip Gabriel Bara nga Rumania me rezultatin 2-6, 6-1, 5-7 ndaj kundërshtarit të tij Nicolo Consonni nga Italia. Gjithashtu fituese në kategorinë Vajza doubles u shpallën Ingkar Dyussebay dhe Dilnaz Mashabayeva nga Kazakistani kundrejt Gresi Bajri nga Shqipëria dhe tenistja nga Maqedonia e Veriut Iva Daneva me rezultatin 6-2, 6-2. Ndërsa në kategorinë Djem Doubles fitues dolën Filip Gabriel Bara nga Rumania dhe Lorenzo Comino nga Italia me rezultatin 7-6(4), 7-5 ndaj Joao Benvenutti nga Brazili dhe Gabriele Crivellaro nga Italia. Finalet e ndoqën nga një numër i madh tifozësh. Në ceremoninë e shpërndarjes së trofeve të fituesve ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, z.Alvaro Renedo Zalba, zv. ambasadori i Spanjës dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Tenisit z. Ferdinand Sulo. Ceremonia e ndarjes së trofeve u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Tenisit z.Klaus Bardeli. Ky turne ishte një nga 6 turnetë e tjerë botëror dhe evropian të kategorive U12, U14, U16 dhe U18 të zhvilluar këtë vit në Qendrën Kombëtare të Tenisit në Tiranë ku mblodhën rreth 400 tenistë nga vende të ndryshme të botës mes të cilëve rreth 30 tenistë shqiptarë ku vlen të përmenden Gresi Bajri, Valentina Merku, Rea Qinami, Regi Halili, Damian Methasani, Joan Sura, Arlis Muka, Amina Xhaferi, Kledi Gaba, Ajri Hoxha, Denis Gaba, Alex Prifti, Ditan Mulliqi, Enki Hyseni, Anjel Hoxha, Ares Ferhati, Arbër Dano, Ariel Sulovari, Olger Qarri, Kaltër Qordja etj. Këto shifra pjesëmarrje janë historike për eventet e tenisit në Shqipëri si dhe rezultatet e arrituara nga tenistët shqiptarë flasin vetë. Kujtojmë që tenistja jonë Gresi Bajri arriti të shpallet fituese e turneut “Tirana Open U16” Tennis Europe Junior Tour për kategorinë U16 Vajza Singles si dhe finaliste në kategorinë Doubles të turneut ndërkombëtar “J5 Tirana Open – ITF 2022”. Po ashtu tenistja Rea Qinami doli finaliste në turneun ndërkombëtar “NSP 2022-Tennis Europe Junior Tour 16&Under” në kategorinë Girls Doubles. Rezultate të mira kishte edhe nga tenistë të tjerë si Valentina Merku ku arriti në çerekfinale të turneut ndërkombëtar “NSP 2022-Tennis Europe Junior Tour 16&Under”. Falenderojmë të gjithë tenistët pjesëmarrës në këto turne ndërkombëtar për ndeshjet spektakolare dhe emocionet e bukura që dhuruan e sidomos tenistët shqiptarë për fitoret e tyre dhe i urojmë suksese të tjera në vijim.
Inaugurohet kompleksi i tenisit Adriatic Tennis Park në Shkodër

Në praninë e Ministres së Arsimit dhe Sportit, u inaugurua këtë fundjavë kompleksi i tenisit Adriatic Tennis Park. Adriatic Tennis Park, e përfaqësuar nga drejtuesi i tij Z. Gëzim Galiqi, dhe Shkodra Tennis Club, e përfaqësuar nga Presidenti, Z. Mark Gjeka, trajneri Dino Mehmedoviq dhe kampionia Gresi Bajri, mikpritën dhe përshëndetën ngrohtësisht personalitetet, miqtë dhe të ftuarit e shumtë. Mbajtën fjalimet e rastit Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Zj. Evis Kushi, ish-kryetarja e Bashkisë Shkodër, Zj. Voltana Ademi, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Z. Fidel Ylli, Presidenti i Federatës Shqiptare të Tenisit, Z. Ferdinand Sulo, Presidenti i Federatës së Tenisit të Kosovës, Z. Jeton Hadërgjonaj, anëtari i bordit të zhvillimit Tennis Europe, Z. Shkëlzen Domi dhe drejtori i Bellevue Club, Z. Senad Tafa. Shqipërisë i bashkohet një mundësi e artë për zhvillimin e talenteve të reja në sportin e tenisit, me krijimin e këtij kompleksi të mrekullueshëm tenisi në veri të vendit. Federata Shqiptare e Tenisit i uron shumë suksese Adriatic Tennis Park dhe i ofron mbështetjen në çdo projekt në të ardhmen.
TRAINING CAMP 2022 – Kampi stërvitor për kategorinë U12 dhe U14

Ka përfunduar me sukses kampi stërvitor për kategorinë U12 dhe U14 “TRAINING CAMP 2022”. Tenistët shqiptarë kanë arritur të përvetësojnë njohuri më të specializuara në shërbim të rritjes së performancës së tyre në fushë, por edhe të stërvitjes dhe sjelljes. Kujtojmë që ky projekt ishte një bashkëpunim ndërmjet International Tennis Federation , Tennis Europe dhe Albanian Tennis Federation. Falenderojmë lojtarët dhe trajnerët e përfshirë në këtë projekt.
Antalya 2022, Përfundon kampi stërvitor “12&U Training Camp 2022”

Përfundoi sot kampi stërvitor “12&U Training Camp 2022” për kategorinë U12 nga Tennis Europe në bashkëpunim me International Tennis Federation në Antalia të Turqisë. Në këtë aktivitet morën pjesë 11 ekipe U12 të shteteve të ndryshme të udhëhequra nga Goran Shevchenko. U zhvilluan një sërë ushtrimesh por edhe ndeshjesh miqësore kur u arritën edhe disa fitore nga tenistët tanë. Gjatë javës së parë: Aleks PRIFTI fitoi ndaj Aleksej STOJANOVSKI (MK) 6-2/6-0. Aleks PRIFTI fitoi ndaj Unik RAMADANI (KOS) 6-1 ku ky i fundit u tërhoq. Në doubles: Alex PRIFTI dhe Ares FERHATI fitojnë me rezultatin 2-1 ndaj Unik RAMADANI(KOS) dhe Mahir BUTKOVIC(BIH). Anjel HOXHA fitoi ndaj Nane SARGYSYAN (ARM) me rezultatin 7-6/6-1. Anjel HOXHA fitoi ndaj Anastasija ARSOVSKA (MKD) me rezultatin 2-0. Në doubles: Anjel HOXHA dhe Deniz ÇAKIL (TUR) fituarn me rezultatin 2-1 ndaj dyshes Nane SARGYSYAN (ARM) dhe Maria AZIZYAN (TUR). Gjatë javës së dytë: Aleks PRIFTI fitoi ndaj Aleksej STOJANOVSKI (MK) 2-0. Aleks PRIFTI fitoi ndaj Petar AVETISYAN me rezultatin 2-0. Anjel HOXHA fitoi ndaj Anastasija BOGAVAC (MNE) 2-0. Anjel HOXHA fitoi ndaj Lina NIKOLOVSKA (MK) e cila u tërhoq. Ares FERHATI fitoi ndaj Aleksej STOJANOVSKI (MK) me rezultatin 2-0. Alex Prifti dhe Anjel Hoxha u renditën secili në vendin e 6-të në singles. Pjesë e kampit stërvitor “ITF/Tennis Europe 12&U Training Camp 2022” ishin edhe dy trajnerët e ekipit shqiptar: Elda Vukatana dhe Maksi Prifti. Gjithashtu sot përfundoi edhe “ITF/Tennis Europe 14&Under Development Championships” ku ekipi kombëtar u përfaqësua nga tenistët: Emili Bilali, Enki Hyseni, Kledi Gaba dhe Damian Methasani me trajner supervizor Tedi Kaso. (Shkurt 2022)
Fitorja e parë e ekipit kombëtar shqiptar në Antalia, Enki Hyseni

Enki HYSENI fiton me rezultat 6-3, 6-0 përballë Ayshan KARIMLI nga Azerbajxhani. Fitorja e parë e ekipit tonë në turneun e kategorisë U14 në Antalia të Turqisë. (Shkurt 2022)
Ekipi shqiptar në ITF/Tennis Europe 14&Under Development Championships and 12&U Training Camp 2022″ Antalya.

Ekipi kombëtar shqiptar i tenisit për Kategorinë U12 dhe U14 ka filluar sot programin “ITF/Tennis Europe 14&Under Development Championships and 12&U Training Camp 2022” Antalya. Kampi i trajnimit për kategorinë U12 si dhe Kampionati Zhvillimor i kategorisë U14 do të zgjasë dy javë, në të cilat tenistët shqiptarë të këtyre moshave do të na përfaqësojnë. Konkretisht për Kategorinë U12 tenistët: Anjel Hoxha, Alex Prifti dhe Ares Ferhati. Me trajnerë supervizorë Elda Vukatana dhe Maksim Prifti. Ndërsa për Kategorinë U14 tenistët: Emili Bilali, Enki Hyseni, Kledi Gaba dhe Damian Methasani. Me trajner supervizor Tedi Kaso. I urojmë shumë suksese tenistëve tanë të vegjël! (Shkurt 2022)
Mbledhja Vjetore e International Tennis Federation, Madrid, Spanjë

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Tenisit, z.Klaus Bardeli ka qenë i ftuar në “Conference & Annual General Meeting – International Tennis Federation”. Në një publikim ai shkruan: Mes miqsh, kolegësh dhe partnerësh në Konferencën dhe Mbledhjen Vjetore të Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare të Tenisit në Madrid, Spanjë. Pata kënaqësinë të shkëmbeja ide rreth planeve për të ardhmen dhe zhvillimin e tenisit në Shqipëri, gjithashtu të diskutoja për mbështetjen dhe bashkëpunimin me anëtarë të familjes së madhe të tenisit në mbarë botën.” (Dhjetor 2021)
Ekipi shqiptar në aktivitetet e organizuara nga ITF dhe Tennis Europe, Antalia, Turqi.

Në Antalia të Turqisë, më datë 10-20 Dhjetor 2021, ekipi kombëtar shqiptar i moshave U12 dhe U14 marrin pjesë në aktivitetet e organizuara nga ITF dhe Tennis Europe. Ekipi kombëtar i moshave U12 vajza dhe djem po merr pjesë në aktivitetin “12&Under ITF/Tennis Europe Training Camp” dhe ekipi kombëtar i moshave U14 vajza dhe djem në “14&Under ITF/Tennis Europe Development Championships”. Ekipi shqiptar U14 përbëhet nga lojtarët: Ajri Hoxha, Amina Xhaferri, Kledi Gaba, Alex Prifti, të udhëhequr nga trajneri Maksim Prifti. Ndërsa ekipi shqiptar U12 përbëhet nga: Emeli Bilali dhe Alex Prifti, nën udhëheqjen e trajnereve: Elda Vukatana dhe Nikoleta Peti. I urojmë suksese dhe përfaqësim dinjitoz! (Dhjetor 2021)
Turneu “J5 TIRANA OPEN U18” nga ITF dhe FSHT u mbyll me sukses

Turneu “J5 TIRANA OPEN U18” nga ITF i zhvilluar në Qendrën Kombëtare të Tenisit në Tiranë u mbyll me sukses. Pjesëmarrës në këtë turne ishin lojtarë nga vende të ndryshme të Europës, spikasin edhe 5 lojtarët shqiptarë si Gresi Bajri e Skerdi Hasa. Gresi BAJRI arriti deri në gjysmë finale në Doubles dhe deri në raundin e dytë në Singles. Ndërkohë po zhvillohen ndeshjet e turneut të dytë nga ITF World U18, ku Gresi BAJRI fitoi ndaj lojtares turke (e cila e eleminoi Gresin nga turneu i javës së shkuar) Ceylin IPEK me rezultatin 6-3, 6-2 dhe kaloi në raundin e dytë. Ndërsa Skerdi HASA u eliminua nga numri 1 i turneut, Vit KALINA pas një loje të fortë që u mbyll me rezultatin 6-4, 6-0 për lojtarin çek. Njekohesisht vijojnë ndeshjet Doubles ku presim edhe rezultate të kënaqshme. (Shtator 2021)
“J5 Tirana Open U18” me 54 djem dhe 51 vajza të kombësive të ndryshme në Tiranë

Një javë tjetër e ngjeshur në National Sport Park në Turneun “J5 Tirana Open U18” të organizuar nga ITF dhe Federata Shqiptare e Tenisit ku morën pjesë 54 djem dhe 51 vajza të kombësive të ndryshme. Në Kategorinë single për djem fitues i turneut u meritua nga Vit KALINA (CZE) që mposhti në finale Dimitris PALIOURAS (GRE) me rezultatin 6-3, 6-3. Në Kategorinë single për vajza fitues i turneut u meritua nga Anastasiia FIRMAN (UKR) e cila mposhti në finale Jana STOJANOVA (BUL) me rezultatin 1-6, 7-6(5), 7-5. Në Kategorinë e ndeshjeve dyshe për djem fitues i turneut u meritua nga dyshja Petr, BRUNCLIK (CZE) / Vit, KALINA (CZE) që mposhti pas një ndeshje shumë të luftuar me rezultatin 7-5, 0-6 [10-6], dyshen e djemve Milo GAZIVODA (MNE), Ivan SODAN (CRO). Në Kategorinë e ndeshjeve dyshe për vajza fitues i turneut u meritua nga dyshja Yuna, KADOVAKI (JPN), Jana, STOJANOVA (BUL) që mposhti në finale, dyshen e vajzave Gresi BAJRI (ALB) dhe Iva DANEVA (MKD) me rezultatin 1:6, 0:6. Turneu u zhvillua duke respektuar të gjitha protokollet sanitare për mospërhapjen e Covid-19. (Maj 2021)