Skip to main content

Federata Shqiptare e Tenisit

Festivali i Tenisit 2026 sjell sportin e tenisit në qendër të Elbasanit

Gjatë fundjavës u organizua “Festivali i Tenisit 2026” në qytetin e Elbasanit, në sheshin “Gensher”, në kuadër të një bashkëpunimi mes Federatës Shqiptare të Tenisit, Bashkisë Elbasan dhe Klubit të Tenisit Korça. Në këtë aktivitet morën pjesë fëmijë të moshave të ndryshme, për shumë prej të cilëve ky ishte kontakti i parë me sportin e bukur të tenisit. Aktiviteti solli një atmosferë të veçantë sportive në qendër të qytetit, duke i afruar më shumë fëmijët dhe qytetarët me këtë sport. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe drejtues të Bashkisë Elbasan, përfaqësues të Klubit të Tenisit Korça, trajnerë, lojtarë dhe dashamirës të tenisit. Bashkia Elbasan bëri të ditur se, duke qenë një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, shumë shpejt edhe Elbasani pritet të ketë fusha tenisi, falë iniciativës së bashkisë për ndërtimin e tyre. Gjithashtu, ky aktivitet shërbeu si pikënisje për procesin e implementimit të tenisit në shkolla, në kuadër të “Klasave Sportive në Elbasan”, duke synuar promovimin dhe zhvillimin e këtij sporti tek fëmijët dhe të rinjtë. Falënderojmë Bashkinë Elbasan, Klubin e Tenisit Korça dhe të gjitha subjektet që u përfshinë dhe kontribuuan në organizimin e këtij aktiviteti të bukur sportiv.

Festivali i Tenisit në qytetin e Vlorës

U zhvillua dje Festivali i Tenisit në qytetin e Vlorës në kuadër të projektit “European City of Sport 2024” dhe nismës “Junior Tennis Initiative – ITF”. Tenistët më të mirë të qytetit bregdetar zhvilluan aktivitete duke përfshirë edhe fëmijë të interesuar në sportin e tenisit. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte masivizimi i sportit të tenisit në qytetin e bukur të Vlorës.

Projekti “Sporti për Zhvillim” JTI në Thumanë

Në bazë të projektit “Sporti për Zhvillim” i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Federatën Shqiptare të Tenisit në kuadër të nismës “Junior Tennis Initiative” nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit ITF u zhvillua në Thumanë të Krujës festivali i tenisit. Disa prej tenistëve më të mirë shqiptarë të grupmoshave të ndryshme u angazhuan me fëmijë dhe të rinj të zonës, duke i njohur me sportin e bukur të tenisit. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte masivizimi i sportit të tenisit në qytetin e Krujës dhe Fushë Krujës si dhe edukimi i të rinjve nëpërmjet ushtrimit të sportit me vlerat Olimpike.

“Tennis Junior Festival – JTI’ në Korçë

Falë mbështetjes së International Tennis Federation nëpërmjet programit “JTI – Junior Tennis Initiative”, Federata Shqiptare e Tenisit në bashkëpunim me klubin Tennis Korça organizuan në qytetin e Korçës Festivalin Veror të Tenisit. Fëmijët e qytetit të Korçës u argëtuan me aktivitetet e organizuara, shumë prej të cilëve patën fatin të luajnë tenis për herë të parë. Ky festival do të pasohet nga shumë të tjerë në qyteta të tjera të Shqipërisë.