Federata Shqiptare e Tenisit

Arbër Dano përzgjidhet fitues në programin ndërkombëtar “Little Tennis Champions 2025–2026”

Federata Shqiptare e Tenisit ka kënaqësinë të njoftojë se Arbër Dano është përzgjedhur si fitues në kuadër të programit prestigjioz ndërkombëtar “Little Tennis Champions 2025-2026”, një nismë e organizuar nga I Tennis Foundation në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Tenisit. Pas një procesi të gjatë dhe të kujdesshëm përzgjedhës dhe takimit në fushë të zhvilluar më 24–25 Qershor në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë, Arbëri u dallua për aftësitë e tij teknike, disiplinën, dhe potencialin për zhvillim në nivel ndërkombëtar. Si pjesë e këtij programi, Arbëri do të përfitojë:  Trajnime të avancuara me trajnerë elitarë  Pjesëmarrje në turne ndërkombëtare në disa vende europiane  Mbështetje edukative, psikologjike dhe gjuhësore Udhëtime, akomodim dhe përkujdesje të mbuluara nga organizatorët Federata Shqiptare e Tenisit i uron suksese Arbërit në këtë kapitull të ri të karrierës dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur të gjithë të rinjtë shqiptarë që ndjekin ëndrrën e tyre në sportin e tenisit.

Përfundoi me sukses faza e rradhës përzgjedhëse e “LTC 2025–2026” në Tiranë 

Në datat 24–25 Qershor 2025, në ambientet e Qendrës Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë, u zhvillua faza përzgjedhëse në fushë për lojtarët e përzgjedhur nga Shqipëria dhe Kosova në kuadër të programit ndërkombëtar “Little Tennis Champions 2025–2026.” Kjo fazë është pjesë e projektit të përbashkët midis Federatës Shqiptare të Tenisit dhe I Tennis Foundation, që ka si synim identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj në tenis nëpërmjet një programi vjetor me mbështetje teknike dhe edukative. Gjatë dy ditëve, lojtarët e përzgjedhur morën pjesë në: Seanca trajnuese në fushë. Prezantim të programit për prindërit dhe fëmijët. Ndeshje vlerësuese dhe intervista individuale. Stërvitja u drejtua nga trajnerët italianë Simone Bongiovanni, Alfredo Santacroce dhe Tommaso Garello, të cilët ndoqën nga afër çdo lojtar në aspektin teknik, fizik dhe psikologjik. Qëllimi i kësaj faze ishte përzgjedhja përfundimtare e lojtarëve që do të bëhen pjesë e programit të bursave, duke përfituar trajnim elitar dhe pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare gjatë sezonit 2025–2026. Emrat e lojtarëve të përzgjedhur do të shpallen ditën e diel. Urojmë suksese të gjithë pjesëmarrësve në këtë etapë të rëndësishme drejt zhvillimit të tyre profesional në fushën e tenisit!