Shpallen fituesit e “J60 Tirana Open 2026” – World Tennis Tour Juniors

Federata Shqiptare e Tenisit përmbylli me sukses turneun ndërkombëtar “J60 Tirana Open 2026”, pjesë e World Tennis Tour Juniors, i cili u zhvillua gjatë datave 21-26 Shtator 2026 në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park”, Tiranë. Turneu ndërkombëtar mblodhi në Tiranë tenistë të rinj nga vende të ndryshme të botës, të cilët garuan në kategoritë Boys Singles, Girls Singles, Boys Doubles dhe Girls Doubles. Fituesit dhe finalistët: Boys Singles Petar Ciangherotti– Nikolaos Papavasiliu Finale: 6-3, 6-1 Girls Singles Mila van der Lecq – Viktorie Havlikova Finalja u mbyll me tërheqjen e Viktorie Havlikova. Boys Doubles Nikolaos Papavasiliu & Leo Wright – Filip Sebek & Tobias Zapsky Finale: 7-6(6), 4-6, [11-9] Girls Doubles Eva Halfarova & Viktorie Havlikova – Kristyna Prikrylova & Mila van der Lecq Finale: 6-2, 6-4 Një paraqitje të mirë në këtë turne zhvilluan edhe tenistët shqiptarë, me Dalina Kokoshin që arriti deri në çerekfinale të Girls Singles, ndërsa Arbër Dano, Enian Mehmeti, Ares Ferhati, Denis Gaba dhe Alex Prifti garuan në Boys Singles e Doubles dhe Anjel Hoxha e Ariel Sulovari në Girls Singles. Federata Shqiptare e Tenisit përgëzon të gjithë sportistët shqiptarë për paraqitjet e tyre, si dhe të gjithë tenistët pjesëmarrës, trajnerët, prindërit, arbitrat dhe stafin organizativ për kontributin në realizimin me sukses të këtij aktiviteti të rëndësishëm ndërkombëtar. Urime të gjithë fituesve dhe finalistëve dhe shumë suksese në vazhdim!
Dalina Kokoshi në çerekfinale të “J60 Tirana Open 2026”

Një paraqitje shumë e mirë për tenisten shqiptare Dalina Kokoshi në “World Tennis Tour Juniors – J60 Tirana Open 2026”, turneu ndërkombëtar që po zhvillohet gjatë datave 21-26 Shtator 2026 në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park”, Tiranë. Dalina Kokoshi ka siguruar një vend në çerekfinalet e Girls Singles, duke u renditur mes tetë tenisteve më të mira të turneut. Në raundin e parë, Dalina u përball me Reagan Stanley dhe fitoi me rezultatin 6-2, 7-5, ndërsa në raundin e dytë vijoi rrugëtimin drejt fazës çerekfinale pas fitores me rezultatin 7-6(3), 7-6(5) ndaj tenistes Lidia Filipowicz . Çerekfinalja: Dalina Kokoshi – Viktorie Havlikova Federata Shqiptare e Tenisit përgëzon Dalina Kokoshin për paraqitjen e saj deri në këtë fazë dhe i uron shumë suksese në çerekfinale! Suksese Dalina!
Festivali i Tenisit 2026 sjell sportin e tenisit në qendër të Elbasanit

Gjatë fundjavës u organizua “Festivali i Tenisit 2026” në qytetin e Elbasanit, në sheshin “Gensher”, në kuadër të një bashkëpunimi mes Federatës Shqiptare të Tenisit, Bashkisë Elbasan dhe Klubit të Tenisit Korça. Në këtë aktivitet morën pjesë fëmijë të moshave të ndryshme, për shumë prej të cilëve ky ishte kontakti i parë me sportin e bukur të tenisit. Aktiviteti solli një atmosferë të veçantë sportive në qendër të qytetit, duke i afruar më shumë fëmijët dhe qytetarët me këtë sport. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe drejtues të Bashkisë Elbasan, përfaqësues të Klubit të Tenisit Korça, trajnerë, lojtarë dhe dashamirës të tenisit. Bashkia Elbasan bëri të ditur se, duke qenë një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, shumë shpejt edhe Elbasani pritet të ketë fusha tenisi, falë iniciativës së bashkisë për ndërtimin e tyre. Gjithashtu, ky aktivitet shërbeu si pikënisje për procesin e implementimit të tenisit në shkolla, në kuadër të “Klasave Sportive në Elbasan”, duke synuar promovimin dhe zhvillimin e këtij sporti tek fëmijët dhe të rinjtë. Falënderojmë Bashkinë Elbasan, Klubin e Tenisit Korça dhe të gjitha subjektet që u përfshinë dhe kontribuuan në organizimin e këtij aktiviteti të bukur sportiv.