Fillimi i këtij muaji shënoi vizitën e përfaqësuesit të Federatës Botërore të Tenisit, Vitor Cabral (ITF Development Officer Europe). Vitor Cabral organizoi kursin për të gjithë prindërit që kanë fëmijë të angazhuar në sportin e tenisit në Shqipëri “ITF Parents Workshop Level 1” në “National Sport Park” në Tiranë. Bashkë me njohuritë e prezantuara dhe diskutimet në këtë kurs prindërit u njohën me platformën online të Federatës Ndërkombëtare të Tenisit (ITF Academy), ku mund të gjejnë informacione dhe kurse të vlefshme përgjatë gjithë vitit. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Vitor Cabral krijoi mundësinë e takimit me përfaqësues të klubeve të ndryshme dhe tenistëve në vend. Konkretisht ai ishte i pranishëm në klubet respektive të qyteteve si Tirana, Korça, Vlora dhe Shkodra, duke parë nga afër zhvillimet e arrituara, lojtarët më të talentuar, por edhe duke diskutuar problematikat që has çdo klub dhe federata si dhe projektet për të ardhmen. Për Cabral ishte hera e parë për të në disa prej këtyre qyteteve, ku në qytetin e Korçës realizoi një takim me kryebashkiakun Sotiraq Filo ku u bisedua për qëllimet e kësaj bashkie në të mirë të zhvillimit të mëtejshëm të tenisit në Korçë. Gjatë kthimit nga Korça, Vitor Cabral gjati kohën të ndalojë në Pogradec në një takim me zv.Kryetaren e Bashkisë Entela Gusho dhe përfaqësues të tjerë të kësaj bashkie. Ndër të tjera në këtë takim u diskutua rreth infrastrukturës së tenisit në qytet si element kyç për zhvillimin e këtij sporti. Vitor Cabral largohet me përshtypjet më të mira nga Shqipëria dhe me synime të reja bashkëpunimi mes Federatës Ndërkombëtare të Tenisit dhe federatës sonë.