Federata Shqiptare e Tenisit

HISTORIA E TENISIT

Disa njerëz besojnë se egjiptianët, grekët dhe romakët e lashtë kanë luajtur versione të ndryshme të tenisit. Nuk është zbuluar përshkrimi i ndonjë loje të ngjashme me tenisin, por disa fjalë të pakta arabe që datojnë që nga kohët e egjiptit të lashtë përmenden si dëshmi të pohimeve të tilla. sipas kësaj teorie, emri “tenis” rrjedh nga emri i qytetit egjiptian tinis, që gjendet përbri lumit nil, kurse emri “raketë” e ka prejardhjen nga fjala arabe për palmën e dorës (freskuesen) – “rahat”.

Përveç këtyre dy fjalëve, nuk ka dëshmi të tjera se tenisi është luajtur edhe para 1 000 vjetësh, prandaj shumica e historianëve pajtohen se origjina e këtij sporti duhet të kërkohet në shekullin XI ose XII, kur filloi të praktikohej nga murgjit francezë. Kjo lojë filloi me emrin “jeu de paume”, gjë që d.m.th. “lojë e dorës”. Ata që nuk e pranojnë një origjinë më të vjetër të kësaj loje, thonë se fjala “tenis” e ka prejardhjen nga fjala frënge “tenez”, që d.m.th. “merre këtë”, fjalë që ia thoshte njëri lojtar tjetrit, kur e bënte servimin.

Kur loja filloi që të bëhej më e popullarizuar, filloi që të luhej edhe në ambiente të mbyllura. Topat e gomës ende nuk ekzistonin, prandaj topi i tenisit ishte një përzierje e flokëve, leshit të deles, apo edhe ndonjë tape, ku më vonë një top i tillë filloi të qepej me dorë.

Fisnikët e kishin mësuar këtë lojë nga murgjit, ndërkaq disa njoftime flasin për atë se në shekullin XIII, në Francë, kishte 1 800 fusha tenisi. Sporti i tenisit u bë aq i popullarizuar, sa përpjekjet e papës dhe mbretit Lui IV për ta ndaluar atë, u treguan të pasuksesshme. Tenisi shumë shpejt u përhap edhe në Angli, ku u përkrah shumë nga mbretërit Henri VII dhe Henri VIII, të cilët promovuan ndërtimin e shumë fushave të tenisit.

Rreth vitit 1500 filloi që të përdorej një reket me kornizë druri dhe i përbërë nga zorrët e deleve. Fushat e atëhershme të tenisit ishin të ndryshme nga këto të sotmet. Loja e vjetër e tenisit u transformua gjatë viteve në atë që sot quhet “tenis i vërtetë”, ku fusha angleze e tenisit “Hampton Court”, e ndërtuar në vitin 1625, vazhdon të shfrytëzohet edhe sot e kësaj dite. Kjo fushë është me të vërtetë e çuditshme. Rrjeta e ka një lartësi më të madhe në të dyja skajet e saj, derisa mesi e ka një lartësi më të vogël. Popullariteti i lojës filloi të binte gjatë shekullit XVIII, por në vitin 1850, Çarls Gudjer e zbuloi procesin e vullkanizimit të gomës, kështu lojtarët filluan të eksperimentonin me topa të gomës, duke luajtur jashtë, në ambient të hapur. Loja në ambient të hapur natyrisht ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo që zhvillohej brenda, prandaj edhe u formuluan disa rregulla të tjera.

Në vitin 1874, kryetari i Londrës, Uolter C. Uingfild, i patentoi pajisjet dhe rregullat e tenisit, të cilat janë shumë të ngjashme me ato të sotmet. Në të njëjtin vit u paraqitën fushat e para të tenisit edhe në SHBA. Një vit më vonë, pajisjet e tenisit filluan të shiteshin me të madhe edhe në Rusi, Indi, Kanada dhe Kinë.

Në atë kohë ishte i popullarizuar edhe sporti i kriket, ndërkaq terrenet e lëmuara të këtij sporti ishin shumë të përshtatshëm si fusha tenisi. Fusha origjinale e tenisit, e Uingfildit, e kishte formën e orës së rërës, më e ngushtë në pjesën e rrjetës dhe ishte paksa më e shkurtër sesa fusha e sotme. Rregullat e tij u kritikuan nga njerëz të ndryshë, prandaj u desh të ndryshoheshin ato në vitin 1875, duke ua lënë të tjerëve zhvillimin e mëtejshëm të lojës.

Në vitin 1877, klubi “All England” e mbajti turneun e parë të Uimbëlldonit, ndërkaq komiteti i këtij turneu propozoi një fushë drejtkëndore dhe u vendosën rregullat, të cilat i njohim të gjithë ne. Por, rrjeta vazhdonte të ishte më e lartë në skaje, kështu që në vitin 1882 u bënë edhe ndryshimet e fundit, për të arritur deri te forma dhe rregullat që janë edhe sot.

Dëshmitë më të hershme të zhvillimi të sportit të tenisit në Shqipëri i gjejmë tek arkiva Marubi ku në fotografitë e Kel Marubit evidentohet se ky sport i sjellë nga konsuj britanik në Shkodër, praktikohej nga lojtarë meshkuj dhe femra. Bëhet fjalë për fotografi të shekullit XIX, atëherë kur filluan të organizoheshin edhe turnetë e para të tenisit në botë.

Gjithashtu, në Shqipëri në bazë të dokumentave që disponohen para luftës së dytë botërore, tenisi është luajtur si nga djemtë ashtu edhe nga vajzat e asaj kohe në Tiranë, Korçë, Shkodër dhe Berat.

Ushtrues të sportit të tenisit kanë qenë njerëz të shoqërisë “së lartë”, gjë që me sa duket bëri atë që ky sport të persekutohej gjatë viteve të diktaturës në vendin tonë, duke u quajtur “Sport Borgjez”.