Përfundoi me sukses kursi i çertifikimit të trajnerëve Niveli i Parë nga Federata Botërore e Tenisit “ITF/OS Coaching Beginner & Intermediate Players course”.
Ky kurs u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Tenisit në Tiranë “National Sport Park”. Drejtues të këtij kursi ishin Albi Sulo dhe Vanja Stuhli nga ITF. Rreth 20 trajnerë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi morën pjesë në 86 orë trajnime dhe testime në lidhje me njohuritë dhe aftësitë e tyre në mësimdhënien e tenisit. “ITF/OS Coaching Beginner & Intermediate Players course” vjen në Shqipëri si bashkëpunim mes Federatës Botërore të Tenisit (ITF), Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Federatës Shqiptare të Tenisit (FSHT). Me rritjen e numrit por edhe të cilësisë së trajnerëve të federatës sonë rrjedhimisht do të kemi rritje të numrit të tenistëve dhe rezultateve të tyre. Në fund të këtij kursi u zhvillua ceremonia përmbyllëse ku u shpërndanë edhe çertifikata pjesëmarrje për të gjithë trajnerët e përfshirë në kurs. I urojmë suksese të gjithëve dhe falenderojmë ITF dhe KOKSH për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e tenisit në Shqipëri.