Përfundon Tennis Europe 14&U Training Camp në Chisinau

Ka përfunduar në Chisinau, Moldavi “Tennis Europe 14&U Training Camp”, ku Shqipëria u përfaqësua nga tenistja Nergis Nikprelaj, tenisti Martin Bushati dhe trajnerja Anatereza Guli. Gjatë datave 19-26 korrik 2026, lojtarët e rinj nga vende të ndryshme evropiane patën mundësinë të zhvillojnë një javë intensive stërvitore, në një ambient ndërkombëtar dhe nën drejtimin e stafit teknik të kampit. Nergis Nikprelaj dhe Martin Bushati përfituan nga një eksperiencë e rëndësishme sportive, duke u stërvitur së bashku me lojtarë të tjerë të talentuar të grupmoshës 14&U nga vende të ndryshme të Evropës. Pjesë aktive e stafit teknik të kampit ishte edhe trajnerja shqiptare Anatereza Guli, e cila punoi në fushë me lojtarët shqiptarë dhe pjesëmarrësit e tjerë të kampit. Urime Nergis, Martin dhe Anatereza për këtë eksperiencë të rëndësishme ndërkombëtare!
Kursi ITF/OS “Coaching Beginner & Intermediate Players” në Tiranë

Federata Shqiptare e Tenisit ka përfunduar me sukses kursin ndërkombëtar ITF/OS Coaching. Beginner & Intermediate Players, i zhvilluar për disa ditë në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë. Ky kurs u realizua në bashkëpunim me International Tennis Federation (ITF) dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), duke sjellë në Shqipëri një program intensiv me standarde ndërkombëtare. Mbi 20 trajnerë nga Shqipëria dhe Kosova morën pjesë në këtë trajnim. Kursi përfshiu 86 orë mësime teorike dhe praktike, të fokusuar në metodikat moderne të trajnimit për nivelet fillestare dhe ndërmjetme. Sesionet u drejtuan nga ekspertët e ITF, Senad Jusufi dhe Edita Liachoviciute, të cilët ndanë përvojën e tyre shumëvjeçare me trajnerët pjesëmarrës. Në përfundim të kursit, trajnerët iu nënshtruan vlerësimeve praktike dhe teorike, pas të cilave u zhvillua ceremonia e certifikimit. Ky program synon forcimin e kapaciteteve të trajnerëve, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe zgjerimin e bazës së tenisit në vend, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e talentëve të rinj. Faleminderit ITF dhe KOKSH për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin në zhvillimin e tenisit shqiptar.
ITF/TE 14&U NATIONAL TRAINING CAMP në Tiranë

14&U NATIONAL TRAINING CAMP ka qenë kampi stërvitor i zhvilluar nga Federata Shqiptare e Tenisit në bashkëpunim me ITF – International Tennis Federation dhe Tennis Europe në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park në Tiranë. Në këtë kamp stërvitor morën pjesë trajnerë dhe lojtarë të grupmoshës U14 nga qytete të ndryshme të Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit kryesor Përparim Zano. Synimi i këtij projekti ishte rritja e cilësisë së performancës së lojtarëve të tenisit për turnetë e ardhshëm, por edhe të sjelljes së tyre brenda dhe jashtë fushës së tenisit. Falenderojmë lojtarët dhe trajnerët e përfshirë në këtë projekt.