Festivali i Tenisit 2026 sjell sportin e tenisit në qendër të Elbasanit

Gjatë fundjavës u organizua “Festivali i Tenisit 2026” në qytetin e Elbasanit, në sheshin “Gensher”, në kuadër të një bashkëpunimi mes Federatës Shqiptare të Tenisit, Bashkisë Elbasan dhe Klubit të Tenisit Korça. Në këtë aktivitet morën pjesë fëmijë të moshave të ndryshme, për shumë prej të cilëve ky ishte kontakti i parë me sportin e bukur të tenisit. Aktiviteti solli një atmosferë të veçantë sportive në qendër të qytetit, duke i afruar më shumë fëmijët dhe qytetarët me këtë sport. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe drejtues të Bashkisë Elbasan, përfaqësues të Klubit të Tenisit Korça, trajnerë, lojtarë dhe dashamirës të tenisit. Bashkia Elbasan bëri të ditur se, duke qenë një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, shumë shpejt edhe Elbasani pritet të ketë fusha tenisi, falë iniciativës së bashkisë për ndërtimin e tyre. Gjithashtu, ky aktivitet shërbeu si pikënisje për procesin e implementimit të tenisit në shkolla, në kuadër të “Klasave Sportive në Elbasan”, duke synuar promovimin dhe zhvillimin e këtij sporti tek fëmijët dhe të rinjtë. Falënderojmë Bashkinë Elbasan, Klubin e Tenisit Korça dhe të gjitha subjektet që u përfshinë dhe kontribuuan në organizimin e këtij aktiviteti të bukur sportiv.