Federata Shqiptare e Tenisit

KAMPI STËRVITOR KOMBËTAR U14 2025 

Federata Shqiptare e Tenisit, në bashkëpunim me ITF (International Tennis Federation) dhe Tennis Europe, organizoi edhe këtë vit Kampin Stërvitor Kombëtar 14&U 2025 në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë.  Gjatë disa ditëve intensive, kampi mblodhi lojtarë dhe trajnerë të grupmoshës U14 nga e gjithë Shqipëria, të udhëhequr nga trajneri kryesor Përparim Zano, me asistencën e trajnerëve nga qytete të ndryshme të vendit.  Qëllimi i këtij projekti ishte përmirësimi i performancës sportive të lojtarëve për turnetë e ardhshëm, si dhe zhvillimi i sjelljes së tyre sportive, brenda dhe jashtë fushës.  Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë lojtarët dhe trajnerët që kontribuan në suksesin e këtij kampi.

Ceremonia përmbyllëse e Kupës Botërore të Tenisit “2025 Davis Cup Europe Group IV” 

Davis Cup Europe Group IV u mbyll me sukses për të dytin vit radhazi në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë, duke dëshmuar edhe një herë kapacitetin organizativ të Shqipërisë për të pritur evente ndërkombëtare të nivelit të lartë në sportin e tenisit. Kosova dhe Azerbajxhani promovohen në Grupin III të Europës. Në ndeshjet “Promotion Play-Off”, ekipi i Kosovës mposhti Andorrën me rezultatin 2-1, ndërsa Azerbajxhani mundi Lihtenshtejnin me rezultatin 2-0. Në fazën grupore, Azerbajxhani fitoi dy ndeshjet e luajtura kundër Andorrës dhe San Marinos (Grupi A), ndërsa Kosova doli fituese në të tre ndeshjet e saj kundër Lihtenshtejnit, Shqipërisë dhe Islandës (Grupi B).  Pavarësisht përpjekjeve, Shqipëria nuk arriti rezultate pozitive, duke humbur përballjet me Kosovën, Lihtenshtejnin dhe Islandën. Në ceremoninë përmbyllëse, e zhvilluar në një atmosferë festive, u shpërndanë medalje për lojtarët, kapitenët dhe trajnerët e ekipeve fituese, Kosovën dhe Azerbajxhanin. Urojmë suksese të mëtejshme për të gjitha ekipet pjesëmarrëse, si dhe falënderojmë të gjithë personat dhe institucionet e angazhuara në organizimin e këtij eventi të rëndësishëm sportiv në Shqipëri.

Ceremonia hapëse – DAVIS CUP EUROPE IV 2025

U zhvillua ceremonia hapëse e Kupës së Botës në Tenis për Meshkuj “Davis Cup – Europe Group IV 2025”, e cila po mbahet në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë. Në këtë veprimtari marrin pjesë ekipet kombëtare të Azerbajxhanit, Liechtensteinit, Andorrës, Kosovës, San Marinos, Islandës dhe Shqipërisë. Gjatë gjithë kësaj jave do të zhvillohen ndeshje individuale dhe dyshe ndërmjet ekipeve pjesëmarrëse. Ekipi kombëtar shqiptar përbëhet nga lojtarët: Martin Muedini, Mario Zili, Joan Sura, Denis Gaba, dhe kapitenët/trajnerët Përparim Zano dhe Ervin Rota. Të ftuar në ceremoninë hapëse ishin figura të rëndësishme të sportit dhe politikës, ndër të cilët përmendim: Presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli. Përfaqësuesin e Federatës Ndërkombëtare të Tenisit (ITF), z. Javier Moreno Perez. Përfaqësuesin e Bashkisë Tiranë, z. Urim Tresa. Presidentin e Federatës Shqiptare të Tenisit, z. Ferdinand Sulo. Ceremonia u drejtua nga Drejtori Organizativ i Davis Cup, z. Albi Sulo, dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHT, z. Klaus Bardeli. Të gjitha ekipet u paraqitën në skenë për një prezantim të shkurtër, ku secilit prej tyre iu dorëzua një dhuratë simbolike nga Shqipëria, nga ana e drejtorit organizativ. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues dhe gazetarë të mediave, si dhe shumë dashamirës të sportit të tenisit.  I urojmë shumë fat ekipit tonë kombëtar dhe suksese të gjithë ekipeve pjesëmarrëse!

National Sport Park Open 2024 – Tennis Europe Junior Tour – Category 2

Përfundon me sukses turneu ndërkombëtar U12 “National Sport Park Open 2024 – Tennis Europe Junior Tour – Category 2” që u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Tenisit në Tiranë. Në kategorinë Djem/Singles fitues u shpall Steliyan DARAKEV nga Bullgaria me rezultatin 6-2, 6-0 ndaj finalistit po nga Bullgaria, Viktor GEORGIEV. Në kategorinë Vajza/Singles fituese u shpall tenistja turke Ece SEN me rezultatin 6-2, 6-2 dhe finaliste Andreea MITRACHE nga Rumania. Në kategorinë Djem/Doubles fitues doli dyshja bullgare Steliyan DARAKEV dhe Viktor GEORGIEV me rezultatin 6-1,6-2 ndaj dyshes Marc FULWOOD nga Britania e Madhe dhe Alexandre SPANOS nga Greqia. Në kategorinë Vajza/Doubles fitues doli dyshja rumune Andreea MITRACHE dhe Maria MITRACHE, me rezultatin 6-1, 6-0 ndaj dyshes Boglarka ERTEKES dhe Vivien SZABO nga Hungaria. I urojmë suksese në vijim të gjithë tenistëve pjesëmarrës!

Momente nga Ceremonia e “2024 DAVIS CUP EU IV” Tirana, Albania

U zhvillua sot ceremonia hapëse e Kupës Botërore të Tenisit për të Rritur Meshkuj “2024 Davis Cup – Europe IV” që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” në Tiranë. Në këtë aktivitet marrin pjesë ekipet kombëtare të tenisit të Armenisë, Liechtensteinit, Andorrës, Maltës, San Marinos, Islandës dhe Shqipërisë, të të rriturve meshkuj. Gjatë gjithë kësaj jave do të zhvillohen ndeshje individuale dhe dyshe të këtyre ekipeve. Ekipi shqiptar përbëhet nga lojtarët: Martin Muedini, Daniel Ostap, Joan Sura, Denis Gaba dhe kapitenët dhe trajnerët Përparim Zano dhe Ervin Rota. Të ftuar në ceremoninë hapëse ishin personalitete të sportit dhe politikës por jo vetëm ku përmendim: -Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Frida Pashako -Zv.Ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha -Përfaqësues i Federatës Botërore të Tenisit (ITF), Javier Moreno Perez -Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. Ceremonia u drejtua nga Drejtori organizativ i Davis Cup Albi Sulo dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHT, Klaus Bardeli. Të gjithë ekipet parakaluan me flamujt e shteteve respektive përpara fillimit të ndeshjeve të para të këtij kompeticioni. I urojmë shumë fat ekipit tonë kombëtar dhe suksese të gjithë ekipeve pjesëmarrëse!

ITF/TE 14&U NATIONAL TRAINING CAMP në Tiranë

14&U NATIONAL TRAINING CAMP ka qenë kampi stërvitor i zhvilluar nga Federata Shqiptare e Tenisit në bashkëpunim me ITF – International Tennis Federation dhe Tennis Europe në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park në Tiranë. Në këtë kamp stërvitor morën pjesë trajnerë dhe lojtarë të grupmoshës U14 nga qytete të ndryshme të Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit kryesor Përparim Zano. Synimi i këtij projekti ishte rritja e cilësisë së performancës së lojtarëve të tenisit për turnetë e ardhshëm, por edhe të sjelljes së tyre brenda dhe jashtë fushës së tenisit. Falenderojmë lojtarët dhe trajnerët e përfshirë në këtë projekt.

Doubles Tournament- Albi Sulo & Tedi Kaso dhe Taulant Premçi & Elonia Gjata shpallen fitues

Më 5 Mars 2023 u mbyll me sukses turneu “Doubles Tournament” ku fitues per meshkuj u shpallën Albi Sulo dhe Tedi Kaso. Si risi ne Shqiperi u realizua dhe kategoria Mixed Doubles ku fitues u shpallën Elonia Gjata dhe Taulant Prençi. Albi Sulo dhe Tedi Kaso fituan me rezultatin 2-1 ndaj finalistëve Kledi Gaba dhe Denis Gaba, ndërsa Taulant Prençi dhe Elonia Gjata fituan me rezultatin 2-0 ndaj dyshes Arbër Dano dhe Ariel Sulovari. Ky ishte turneu i parë i doubles për këtë vit i organizuar nga Federata Shqiptare e Tenisit dhe National Sport Park Club me kryegjyqtar Kleid Vora në ambjentet e Qendrën Kombëtare të Tenisit në Tiranë. I urojmë suksese fituesve dhe faleminderit të gjithë pjesëmarrësve!

Përfundoi me sukses kursi i çertifikimit të trajnerëve Niveli i Parë nga Federata Botërore e Tenisit “ITF/OS Coaching Beginner & Intermediate Players course”.

Ky kurs u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Tenisit në Tiranë “National Sport Park”. Drejtues të këtij kursi ishin Albi Sulo dhe Vanja Stuhli nga ITF. Rreth 20 trajnerë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi morën pjesë në 86 orë trajnime dhe testime në lidhje me njohuritë dhe aftësitë e tyre në mësimdhënien e tenisit. “ITF/OS Coaching Beginner & Intermediate Players course” vjen në Shqipëri si bashkëpunim mes Federatës Botërore të Tenisit (ITF), Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Federatës Shqiptare të Tenisit (FSHT). Me rritjen e numrit por edhe të cilësisë së trajnerëve të federatës sonë rrjedhimisht do të kemi rritje të numrit të tenistëve dhe rezultateve të tyre. Në fund të këtij kursi u zhvillua ceremonia përmbyllëse ku u shpërndanë edhe çertifikata pjesëmarrje për të gjithë trajnerët e përfshirë në kurs. I urojmë suksese të gjithëve dhe falenderojmë ITF dhe KOKSH për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e tenisit në Shqipëri.

Inaugurohen fushat e para dhe të vetme të tenisit Indoor në Tiranë

Në Qendrën Kombëtare të Tenisit “National Sport Park” u inauguruan 2 fusha të mbyllura tenisi, shoqëruar nga një ceremoni e mirëorganizuar inaugurimi, me pjesëmarrjen e personaliteteve të ndryshme nga bota e tenisit, sportit dhe politikës e më gjerë. I ftuar special në këtë ceremoni ishte z.Vitor Cabral (ITF Develop ment Officer Europe) nga Federata Botërore e Tenisit i cili vlerësoi maksimalisht investimin e realizuar nga kjo qendër por edhe punën që Federata Shqiptare e Tenisit po kryen në zhvillimin e tenisit në vendin tonë. Të pranishëm në këtë ceremoni inaugurimi ishin edhe Presidenti i FSHT z.Ferdinand Sulo, Presidenti i KOKSH z.Fidel Ylli, Drejtori i Politikave të Sportit nga MAS z.Jetlir Gjergji, Drejtor Bashkia Tiranë z.Roland Hysi, Presidenti i FTK z.Jeton Hadergjonaj, Sekretar i Përgjithshëm i FSHT z.Klaus Bardeli, Drejtor i National Sport Park z.Albi Sulo dhe shumë personalitete të tjerë të rëndësishëm nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi etj. Me realizimin e këtyre fushave tenisi indoor në kryeqytet, stërvitja e lojtarëve tanë do të jetë e mundur të zhvillohet përgjatë gjithë vitit pavarësisht kushteve atmosferike. Kjo mundësi do të përkthehen në aftësim të mëtejshëm të tenistëve shqiptarë dhe rezultate më të arrira. Federata Shqiptare e Tenisit është falenderuese ndaj National Sport Park dhe i urojmë suksese të tjera në çdo iniciativë në të mirë të tenisit në Shqipëri!